Senatorët amerikanë flasin për NATO-n, Bondsteel-in dhe dialogun Kosovë-Serbi

Senatorët amerikanë flasin për NATO-n, Bondsteel-in dhe dialogun Kosovë-Serbi

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin folën për marrëdhëniet me Kosovën, integrimin në NATO dhe sigurinë rajonale. Ata mbështetën vazhdimin e partneritetit, ndërsa diskutuan edhe dialogun me Serbinë dhe Gjykatën Speciale.

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen dhe senatori Dick Durbin kanë vlerësuar rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke shprehur mbështetje për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit. Në një intervistë për RTK-në, ata kanë folur edhe për Dialogun Strategjik, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, kampin Bondsteel dhe raportet me Serbinë.

Shaheen tha se gjatë vizitës së saj ka parë zhvillimet e arritura në Kosovë dhe e ka cilësuar formimin e institucioneve të reja si të rëndësishëm për të dyja palët. Ajo kujtoi vizitën e saj të parë, në përvjetorin e dytë të pavarësisë, dhe tha se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë.

Për Durbinin, kjo ishte vizita e parë në Kosovë. Ai tha se ndryshimet që ka parë gjatë qëndrimit të tij dëshmojnë për një partneritet të fortë, ndërsa vlerësoi rolin e Shaheen në marrëdhëniet dypalëshe.

Dialogu dhe integrimi në NATO

E pyetur për rifillimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, Shaheen tha se do ta mirëpriste këtë hap. Ajo përmendi rëndësinë e emërimit të një ambasadori amerikan në Kosovë, ndërsa Durbin tha se ambasadorët kanë rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe marrëdhëniet mes shteteve.

Sa i përket aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Shaheen u shpreh se shpreson që ajo të realizohet. Ajo theksoi rëndësinë e sigurisë evropiane dhe rajonale, si dhe rolin e KFOR-it në Kosovë.

Durbin tha se propozimi i kryeministrit Albin Kurti që Bondsteel-i të jetë bazë e përhershme amerikane duhet të merret seriozisht. Ai shtoi se gjatë takimit me Kurtin senatorëve u ishin paraqitur edhe çështje të cenueshmërisë së sigurisë së Kosovës dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së paqes.

Marrëdhëniet me Serbinë dhe Gjykata Speciale

Shaheen tha se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon përkushtimin e të dyja vendeve. Ajo bëri të ditur se kishte zhvilluar bisedime me Kurtin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Durbin tha se dëshiron përmirësim të raporteve, por nuk pret përparim të madh të shpejtë në prag të zgjedhjeve.

Për ndryshimet e propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara, Shaheen tha se nuk mund të komentojë amendamentet dhe kujtoi se gjykata u krijua nga Kuvendi i Kosovës. Ajo përmendi se procesi mund të përfshijë procedurë apeli, ndërsa Durbin u shpreh se çështjet para gjykatës nuk duhen komentuar dhe se ato duhet të trajtohen përmes procedurave ligjore.

Senatorët po përmbyllin vizitën e tyre në Ballkanin Perëndimor, ku kanë zhvilluar takime edhe në vende të tjera të rajonit.