Serwer: Ndryshimet për Specialen synojnë rikthimin te mandati i saj fillestar

Serwer: Ndryshimet për Specialen synojnë rikthimin te mandati i saj fillestar

Daniel Serwer thotë se Brukseli duhet të vendosë nëse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara ndikojnë në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Profesori amerikan vlerësoi gjithashtu kompromisin që mundësoi zgjedhjen e presidentes së re.

Profesori amerikan Daniel Serwer e ka cilësuar pozitive zgjedhjen e presidentes së Kosovës përmes kompromisit politik, ndërsa për ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara tha se vlerësimin për ndikimin e tyre në rrugën evropiane të vendit duhet ta japë Bashkimi Evropian.

Kuvendi i Kosovës i miratoi ndryshimet më 6 tetor. Ato prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e Dhomave të Specializuara, pas dënimeve me gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-krerë të UÇK-së në Hagë.

I pyetur nëse legjislacioni mund të pengojë integrimin evropian të Kosovës, Serwer tha se përcaktimi i kritereve të anëtarësimit i takon BE-së. “Përgjigjen duhet ta japë Brukseli”, u shpreh ai në përgjigjen për Gazetën Express.

Serwer vlerësoi se ndryshimet ligjore synojnë ta përafrojnë Gjykatën Speciale me atë që, sipas tij, ishte kuptuar përgjithësisht si mandati i saj në kohën e krijimit. Ai shtoi se Kosova nuk ka mundësi ta zbatojë vetë këtë legjislacion.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian

BE-ja ka thënë se ndryshimet “bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së” dhe ka kërkuar shqyrtimin e mjaftueshmërisë së dispozitave të reja për përmbushjen e qëllimit të gjykatës: vënien para përgjegjësisë të personave të dyshuar për krimet e përmendura në raportin e Dick Martyt.

Në një reagim tjetër, Bashkimi Evropian riafirmoi mbështetjen për Dhomat e Specializuara si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar nga Kuvendi dhe të përfshirë në sistemin juridik e Kushtetutën e Kosovës. BE-ja kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së tyre, si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare për llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

Ndryshimet ligjore u miratuan në një periudhë të rëndësishme politike për Kosovën. Zgjedhja e presidentes së re shmangu zgjedhjet e parakohshme, pas një bllokade institucionale që zgjati gati dy vjet.

Serwer e përshëndeti kompromisin që çoi në zgjedhjen e saj, duke e cilësuar presidenten e re si të kualifikuar. Ai tha se marrëveshja politike që mundësoi zgjedhjen ishte zhvillim pozitiv.