Shaban Baholli: Berisha dhe Ismajli u rritën në fushën e 2 Korrikut

Nga fusha e 2 Korrikut drejt Kombëtares së Shqipërisë: Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli janë dy emrat që klubi i kujton me krenari. Drejtori i përgjithshëm Shaban Baholli rrëfeu për rrugëtimin e tyre dhe historinë e tij mbi pesëdekadëshe me klubin.
Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli janë dy prej futbollistëve që 2 Korriku i Prishtinës i përmend me krenari. Të dy u zhvilluan në klub para se të vazhdonin karrierën në nivele më të larta dhe të bëheshin pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Këtë e tha Shaban Baholli, drejtor i përgjithshëm i 2 Korrikut, në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”. Baholli foli për lidhjen e tij mbi pesëdekadëshe me klubin, ku nisi si futbollist në vitin 1971 dhe sot mban përgjegjësi drejtuese.
Duke kujtuar punën dhe vështirësitë e kaluara, ai tha se vullneti kishte qenë më i madh se pengesat. Sipas tij, klubi ia ka dalë të japë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollistëve.
Baholli vuri në dukje se shumë lojtarë që kanë dalë nga 2 Korriku luajnë sot në Ligën e Kosovës dhe në Superligë. Ai veçoi veçanërisht Berishën dhe Ismajlin, të cilët, sipas tij, u rritën në klub dhe u larguan pasi mbushën 18 vjeç.
“Dy i kemi në Kombëtaren e Shqipërisë, për shembull, Etrit Berishën dhe Ardian Ismajlin, të cilët janë rritur këtu, në këtë fushë me baltë”, tha Baholli gjatë bisedës.
Episodi i plotë me Shaban Bahollin është publikuar në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. Podcasti “Arena e Yjeve” realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.