Shkupi rikthen aksionin e pastrimit në më shumë se 50 lokacione

Shkupi rikthen aksionin e pastrimit në më shumë se 50 lokacione

Të mërkurën, nga ora 11:00, Shkupi nis sërish aksionin e pastrimit në mbi 50 lokacione. Qytetarët ftohen t’u bashkohen aktiviteteve, që përfshijnë parqe, rrugë dhe hapësira publike.

Aksioni për pastrimin e Shkupit do të vazhdojë të mërkurën, duke nisur nga ora 11:00, ka njoftuar kryetari i bashkisë, Orce Gjorgievski. Aktivitetet do të zhvillohen në më shumë se 50 lokacione në qytet.

Në kuadër të fushatës do të pastrohen parqe, rrugë, shtigje për këmbësorë, hapësira publike dhe zonat mes ndërtesave. Në aksion pritet të marrin pjesë bashkitë, kryetarët e tyre, studentët dhe vullnetarët.

Gjorgievski u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës. Ai tha se fushatat synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për ruajtjen e pastërtisë dhe të nxisin përgjegjësi më të madhe ndaj mjedisit.

Fushatat do të mbahen dy herë në muaj

Sipas Gjorgievskit, aksionet e pastrimit do të organizohen dy herë në muaj. Ai theksoi se synimi është që nisma të kthehet në traditë dhe kujdesi për pastërtinë të vazhdojë edhe ndërmjet fushatave, në çdo lagje.

Bashkia e Shkupit u ka bërë me dije qytetarëve që të kontaktojnë bashkinë e tyre për të mësuar vendet e sakta ku do të zhvillohen aktivitetet dhe mënyrën e pjesëmarrjes.