Shqipëria avancon në negociatat me BE-në për ndërmarrjet dhe politikën industriale

Shqipëria ka marrë miratimin paraprak të BE-së për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20. Avancimi pritet të zyrtarizohet në konferencën Shqipëri-BE, të planifikuar më 13 tetor në Luksemburg.
Shqipëria ka marrë miratimin paraprak të Bashkimit Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që përfshin ndërmarrjet dhe politikën industriale. Ky zhvillim shënon një hap të ri në procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së, COREPER, ka miratuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Takimi është paraparë të mbahet më 13 tetor në Luksemburg. Aty pritet të zyrtarizohet avancimi i Shqipërisë në negociatat për këtë kapitull.
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur zhvillimin në një reagim në rrjetet sociale, duke e cilësuar si sinjal pozitiv për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, përparimi në Kapitullin 20 mund të krijojë perspektiva më të mira për investimet dhe inovacionin, si dhe të ndihmojë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Miratimi paraprak dhe konferenca e planifikuar përbëjnë fazat e fundit të këtij zhvillimi përpara zyrtarizimit të avancimit të Shqipërisë në kapitullin përkatës të negociatave.