Si të përgatisni makarona me kungull, krem dhe parmixhano

Si të përgatisni makarona me kungull, krem dhe parmixhano

Një ide e ngrohtë dhe e shijshme për drekë: makarona me kungull, krem gatimi dhe djathëra. Salca përgatitet lehtë dhe merr shije të veçantë nga rigoni, trumza e arrëmyshku.

Makaronat me salcë kremoze kungulli janë një zgjidhje e shijshme për drekë, pa kërkuar shumë mund në kuzhinë. Kungulli sjell një ëmbëlsi të lehtë, ndërsa kremi i gatimit dhe djathrat e bëjnë salcën të butë dhe të pasur.

Për përgatitjen duhen 400 gramë makarona, 500 gramë kungull, dy lugë gjelle vaj ulliri, dy thelpinj hudhër, 200 mililitra krem gatimi, 100 gramë djathë krem dhe 70 gramë parmixhano i grirë. Në recetë përdoren gjithashtu 100 mililitra ujë nga zierja e makaronave, një lugë çaji rigon të tharë, gjysmë luge çaji trumzë, pak arrëmyshk, një lugë gjelle gjalpë, si dhe kripë e piper sipas dëshirës.

Qëroni kungullin, hiqni farat dhe priteni në kube. Ziejeni për rreth 15 minuta, derisa të zbutet, pastaj kullojeni. Ndërkohë, zieni makaronat sipas udhëzimeve në paketim dhe, para se t’i kulloni, ruani rreth 100 mililitra nga uji i zierjes.

Ngrohni vajin e ullirit në një tigan dhe kaurdisni lehtë hudhrën e grirë. Shtoni kungullin e zier dhe kremin e gatimit, duke i përzier për disa minuta. Kalojeni përzierjen në blender dhe përpunojeni derisa të bëhet një salcë e lëmuar.

Kthejeni salcën në tigan dhe shtoni djathin krem, parmixhanon, rigonin, trumzën, arrëmyshkun, kripën dhe piperin. Përziejini përbërësit, pastaj shtoni makaronat e ziera dhe bashkojini mirë me salcën.

Nëse salca del tepër e trashë, holloni me pak nga uji i ruajtur i makaronave. Në fund, shtoni gjalpin për ta pasuruar shijen. Shërbejini makaronat menjëherë, me pak parmixhano të grirë sipër.