Specialja: Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka kompetencë ndaj institucionit tonë

Specialja: Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka kompetencë ndaj institucionit tonë

Dhomat e Specializuara kanë refuzuar ftesën e Avokatit të Popullit të Kosovës për një tryezë të rrumbullakët. Institucioni argumenton se kompetenca për të drejtat e personave që ndërveprojnë me të i takon Avokatit të Popullit të vet, Pietro Spera.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë refuzuar ftesën për të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Takimi lidhej me konstatimet dhe rekomandimet e këtij institucioni për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një komunikatë, Dhomat e Specializuara e kanë cilësuar pjesëmarrjen të papërshtatshme dhe kanë argumentuar se qëndrimi i tyre mbështetet në kompetencat e përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligji që rregullon funksionimin e institucionit.

Kompetencat për mbrojtjen e të drejtave

Sipas komunikatës, neni 162, paragrafi 11, i Kushtetutës dhe neni 34, paragrafi 9, i ligjit përkatës ia caktojnë Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, përgjegjësinë ekskluzive për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Institucioni ka thënë se Naim Qelajt i është komunikuar edhe më herët qëndrimi se Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka kompetencë në raport me Dhomat e Specializuara. Për këtë, në komunikatë i është referuar një deklarate të mëparshme të institucionit.

Dhomat kanë përmendur gjithashtu Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili, sipas tyre, mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit për të siguruar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare.

Mjetet juridike kundër vendimeve

Në deklaratë, Dhomat e Specializuara kanë rikujtuar se vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e gjyqtarëve të tyre të pavarur dhe të paanshëm nxirren në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut.

Sipas institucionit, palët që nuk janë pajtuar me vendime kanë mundur t’i kundërshtojnë ato përmes mjeteve juridike, përfshirë ankesat në Panelin e Apelit, Gjykatën Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

Në përfundim, institucioni ka deklaruar se vazhdon të përqendrohet në mandatin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore dhe për zhvillimin e proceseve penale të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase.