Stomatologia Halili: Buzëqeshja nuk duhet të jetë kopje e dikujt tjetër

Stomatologia Halili: Buzëqeshja nuk duhet të jetë kopje e dikujt tjetër

A po bëhen buzëqeshjet tepër të ngjashme? Stomatologia Rajmonda Halili thotë se trajtimet estetike duhet të ruajnë tiparet dhe individualitetin e pacientit. Ajo këshillon që mosha, forma e fytyrës dhe shëndeti i dhëmbëve të merren parasysh para çdo ndërhyrjeje.

Kërkesa për dhëmbë më të bardhë dhe buzëqeshje tërheqëse po ndikohet gjithnjë e më shumë nga rrjetet sociale dhe trendet estetike. Por Rajmonda Halili, specialiste e protetikës stomatologjike, thotë se trajtimet duhet të përshtaten me tiparet dhe individualitetin e secilit pacient, e jo të kopjojnë pamjen e dikujt tjetër.

Duke folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, Halili tregoi se pacientët shpesh paraqiten me fotografi dhe kërkojnë buzëqeshjen e një personi të caktuar. Sipas saj, forma e fytyrës, dhëmbët dhe harku dentar ndryshojnë nga një person te tjetri, prandaj një model i vetëm nuk mund të shërbejë për të gjithë.

“Buzëqeshja është individuale, forma e fytyrës është individuale”, tha specialistja. Ajo shtoi se edhe ngjyra dhe forma e dhëmbëve duhen vlerësuar para trajtimit, ndërsa rezultati përfundimtar duhet të jetë i përshtatur për pacientin.

Trendet dhe ngjashmëria në dasma

Halili vuri në dukje se në evente familjare, veçanërisht në dasma, po sheh gjithnjë e më shumë ngjashmëri në pamjen e grave të moshave të ndryshme. “Qysh prej nënave dhe vjehrrave deri tek nuset, janë të njëjtat fytyra. Domethënë është e njëjta buzëqeshje, është e njëjta fytyrë, është e njëjta pamje”, u shpreh ajo.

Sipas saj, synimi për të ndjekur të njëjtat trende mund t’i largojë njerëzit nga natyraliteti dhe veçantia e tyre. Halili tha se ende nuk ka ndodhur plotësisht një kthesë nga dhëmbët shumë të bardhë drejt një estetike më natyrale.

Ajo këshilloi që gjatë vendimeve për trajtime estetike të merren parasysh mosha dhe forma e fytyrës. “Nuk është patjetër të duket sikur nusja, sikur nëna ose sikur vjehrra, sepse mosha dallon. Duhet ta pranojmë moshën në atë moshë që jemi”, tha Halili.

Estetika duhet të ruajë shëndetin dhe funksionin

Në bisedë u theksua se një buzëqeshje e bukur nuk përcaktohet vetëm nga bardhësia e dhëmbëve. Sipas Halilit, rëndësi kanë edhe shëndeti, pastërtia dhe funksionaliteti; ngjyra natyrale nuk e përjashton një pamje estetike kur dhëmbët janë të kuruar.

Specialistja bëri thirrje që pacientët t’u drejtohen profesionistëve për trajtime estetike dhe të mos nxitojnë drejt ndryshimeve që mund të duken artificiale ose të mos përshtaten me fytyrën e tyre. Biseda u zhvillua në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.