Studentët dalin në ditën e dytë të protestës, vendosen barriera në rrugë

Protesta studentore në Tiranë vazhdon për të dytën ditë, ndërsa qindra protestues kanë bllokuar sërish Rrugën e Durrësit. Policia njoftoi për 16 të arrestuar dhe 49 persona nën procedim penal lidhur me ngjarjet e së martës.
Protesta studentore në Tiranë ka hyrë në ditën e dytë, ndërsa Rruga e Durrësit është bllokuar sërish nga qindra studentë dhe protestues. Ata kanë penguar qarkullimin dhe kanë vendosur në rrugë kangjellat e shkulura, duke krijuar barriera përballë forcave të policisë.
Sipas raportimit të A2 CNN, përpara bllokimit të rrugës, protestuesit hodhën gurë brenda godinës së Ministrisë së Arsimit. Ngjarjet e së mërkurës pasuan protestën e një dite më parë, gjatë së cilës pati përplasje me forcat e rendit.
Disa universitete dhe fakultete bojkotuan mësimin të mërkurën. Studentët marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërsa nxënësit e gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe bllokuan rrugën pranë shkollës së tyre.
Të mërkurën nuk janë raportuar përplasje me policinë, ndryshe nga protesta e së martës. Policia e Tiranës njoftoi se për ngjarjet e asaj dite ka arrestuar 16 persona dhe ka nisur procedim penal ndaj 49 të tjerëve.
Sipas njoftimit policor, personat dyshohet se ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtuan institucione shtetërore e subjekte private. Në mesin e dëmeve të raportuara përmenden edhe bankomate, kamera dhe rrethime metalike të shkatërruara gjatë tubimit.