Takim mes Mehmet Lladrovcit dhe Sebahattin Kilinçit për bashkëpunimin ushtarak

Komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, Mehmet Lladrovci, priti gjenerallejtënant Sebahattin Kilinçin. Në takim u diskutua zhvillimi i kapaciteteve të FSK-së dhe mundësitë për shkollim e trajnim në Turqi.
Komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, priti në vizitë gjenerallejtënant Sebahattin Kilinçin, komandant i Komandës së Përbashkët Strategjike Ndërkombëtare.
Takimi u mbajt në Komandën e Forcave Tokësore, ku të dy palët diskutuan për proceset aktuale të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vëmendje e veçantë iu kushtua ngritjes së kapaciteteve të kësaj komande.
Gjatë bisedës, pala turke ndau përvojat e Forcave të Armatosura të Turqisë në zhvillimin profesional dhe përgatitjen e personelit të FSK-së. Si mundësi për këtë u përmendën shkollimi dhe trajnimet në Turqi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe profesionale. Në përfundim, palët vlerësuan bashkëpunimin dhe partneritetin mes dy forcave, si dhe shprehën gatishmërinë për ta vazhduar dhe thelluar atë në të ardhmen.
Lladrovci falënderoi Kilinçin dhe delegacionin e tij për vizitën, si dhe për diskutimin që e cilësoi të hapur dhe konstruktiv.