Takimi me agjentin qartëson të ardhmen e Dani Olmos: prioritet mbetet Barcelona

Takimi me agjentin qartëson të ardhmen e Dani Olmos: prioritet mbetet Barcelona

Dani Olmo synon të vazhdojë karrierën te Barcelona, pavarësisht interesimit të raportuar nga Bayern Munichu. Në takimin me agjentin e tij, klubi riafirmoi besimin te mesfushori dhe i kërkoi durim për të fituar më shumë hapësirë.

Dani Olmo synon të vazhdojë te Barcelona dhe të luftojë për një rol më të rëndësishëm në skuadër, pavarësisht raportimeve që e lidhin me Bayern Munichun. Kjo ishte edhe çështja kryesore në një takim mes drejtorit sportiv të klubit, Deco, dhe agjentit të mesfushorit, Juanma Lopez, në Barcelonë.

Sipas raportimit të “SPORT”, palët diskutuan situatën aktuale të Olmos dhe dëgjuan qëndrimet e njëra-tjetrës. Takimi u zhvillua në atmosferë të qetë, me synimin për të ruajtur komunikimin e drejtpërdrejtë dhe për të shmangur keqkuptimet e krijuara nga raportimet për të ardhmen e lojtarit.

Interesimi i Bayern Munichut për Olmon përshkruhet si i kahershëm dhe real, por aktualisht nuk ka negociata. Largimi i mesfushorit nga Barcelona shihet si shumë pak i mundshëm, ndërsa klubi do të shqyrtonte një shitje vetëm në rast të një oferte të konsiderueshme financiare.

Olmo kërkon të fitojë më shumë hapësirë

Vetë lojtari, sipas raportimit, nuk dëshiron të largohet. Ai beson se mund të sigurojë një rol më të madh nën drejtimin e Hansi Flickut dhe mbetet i vendosur të dëshmojë vlerën e tij, edhe pse do të kishte dashur të luante më shumë në fillim të sezonit.

Olmo u largua nga La Masia në moshë të re, por nuk e fshehu dëshirën për t’u kthyer një ditë te Barcelona. Rikthimi u bë i mundur pas ardhjes së Decos, i cili ishte ndër përkrahësit e tij më të mëdhenj. Pas shumë vitesh pritjeje për këtë mundësi, mesfushori nuk dëshiron të heqë dorë që në pengesën e parë.

Barcelona, nga ana e saj, është e bindur se Olmo mbetet i përkushtuar ndaj klubit. Drejtuesit ia kanë shprehur besimin në cilësitë e tij dhe i kanë kërkuar durim, duke besuar se gjatë sezonit do t’i krijohen mundësi për të rritur ndikimin në skuadër.

Takimi shërbeu gjithashtu për të diskutuar rolin e Olmos deri më tani dhe perspektivat e tij për të ardhmen, përfshirë paraqitjen e tij në Kupën e Botës. Qëndrimi i të dyja palëve, sipas raportimit, është i qartë: Barcelona nuk po synon ta shesë, ndërsa lojtari dëshiron të qëndrojë dhe të fitojë më shumë rëndësi në skuadër.