Takimi në Prishtinë: në fokus demokracia lokale dhe fondet evropiane

Si mund të forcohet roli i komunave dhe bashkëpunimi me pushtetin qendror? Përparim Rama priti në Prishtinë Claudia Lucianin nga Këshilli i Evropës, ku biseduan edhe për qasjen e komunave në fondet evropiane e ndërkombëtare.
Fuqizimi i komunave dhe bashkëpunimi mes niveleve të qeverisjes ishin temat kryesore të takimit mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Claudia Lucianit, drejtoreshë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Luciani u prit nga Rama në Odën e Kryeqytetit. Sipas një postimi të kryetarit në Facebook, biseda u përqendrua te sfidat me të cilat përballen komunat dhe mënyrat për të forcuar demokracinë lokale.
Në takim u diskutua gjithashtu nevoja për bashkëpunim më të mirë ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal. Rama theksoi rëndësinë që komunat të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në fondet evropiane dhe ndërkombëtare.
Kryetari i Prishtinës tha se kryeqyteti mbetet i përkushtuar ndaj fuqizimit të vetëqeverisjes lokale dhe bashkëpunimit me partnerët evropianë. Takimi u zhvillua në kuadër të bisedimeve për çështjet që prekin qeverisjen dhe kapacitetet e komunave.