Të dënuarit në Dubravë përgatiten për jetën pas lirimit përmes programeve rehabilituese

Të dënuarit në Dubravë përgatiten për jetën pas lirimit përmes programeve rehabilituese

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë, 52 të dënuar po marrin pjesë në programe që synojnë përgatitjen për riintegrim pas lirimit. Mes tyre janë trajtimi i dhunës ndaj grave, menaxhimi i zemërimit dhe vendimmarrja sociale.

52 të dënuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë po ndjekin programe risocializimi që synojnë zhvillimin e aftësive personale e shoqërore dhe përgatitjen për riintegrim në shoqëri pas lirimit, njoftoi Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, programet përfshijnë trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, menaxhimin e zemërimit dhe vendimmarrjen sociale.

Programi kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave zgjat gjashtë muaj dhe mbështetet në modelin Duluth. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrësit ndjekin edhe programin e menaxhimit të zemërimit, i cili i ndihmon të kontrollojnë emocionet dhe impulset, si dhe të përballen me konfliktet në mënyrë konstruktive.

Aftësi për vendime të përgjegjshme

Programi i vendimmarrjes sociale synon të zhvillojë te të dënuarit mendimin kritik, reflektimin moral dhe aftësinë për të marrë vendime të përgjegjshme.

Shërbimi Korrektues bëri të ditur se programet zbatohen nga stafi profesional përmes një qasjeje të strukturuar. Synimi, sipas institucionit, është të nxitet ndryshimi pozitiv dhe përgjegjësia personale, si dhe të zhvillohen shkathtësitë e nevojshme për jetën pas lirimit.

Institucioni tha se do të vazhdojë të investojë në rehabilitimin dhe risocializimin e të dënuarve, me synimin për të krijuar mundësi për riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri.