Të rinjtë angazhohen për komunitetin: pastrojnë lagje dhe mbjellin pemë

Të rinjtë angazhohen për komunitetin: pastrojnë lagje dhe mbjellin pemë

Vullnetarët kanë pastruar shtatë lagje në Prishtinë, ndërsa në Partesh të rinjtë mbollën 30 pemë. Nismat mbështeten nga BE-ja dhe Suedia dhe synojnë angazhimin e qytetarëve për komunitetet e tyre.

Vullnetarë dhe banorë në Prishtinë e Partesh janë përfshirë në nisma për pastrimin e hapësirave të përbashkëta dhe gjelbërimin e mjedisit, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Aktivitetet janë organizuar përmes projekteve lokale të shoqërisë civile.

Në Prishtinë, rreth 30 vullnetarë të nismës Studio Space kanë pastruar deri tani shtatë lagje, ndërsa aksione të tjera janë planifikuar në dy lagje. Aksioni i fundit u zhvillua në Lakrishtë, ku grupit iu bashkuan edhe banorë të zonës, megjithëse moti ishte me shi.

Endritura Gllogjani nga Studio Space tha se nisma nisi nga nevoja e komunitetit për të kontribuar në përmirësimin e qytetit. Ajo bëri të ditur se përkrahja e partnerëve, përfshirë KCSF-në dhe BE-në, ka ndihmuar që aktivitetet e pastrimit të vazhdojnë dhe të shtrihen në gjithsej nëntë lagje.

Mbjellje pemësh në Partesh

Në Partesh, 30 të rinj që më herët kishin ndjekur Shkollën e Demokracisë Lokale morën pjesë në aktivitetin “Adopto një pemë”. Ata mbollën 30 pemë, secila e shënuar me emrin e një pjesëmarrësi, si zotim për t’u kujdesur për të dhe për të kontribuar në një mjedis më të gjelbër.

Stefan Stojanoviç, udhëheqës i nismës “Youth Decide!”, tha se aktiviteti synon t’i nxisë të rinjtë të përfshihen në aktivizëm dhe të ndërmarrin veprime të dobishme për shoqërinë. Nisma në Partesh dhe aksionet në Prishtinë janë mbështetur përmes granteve për vullnetarizëm.

Programi bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, ndërsa zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM). Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Dren Puka, e lidhi mbështetjen për vullnetarizmin me demokratizimin e shoqërisë dhe krijimin e hapësirave ku qytetarët mund të bashkëpunojnë përtej interesave individuale.

Sipas njoftimit, BE-ja ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999 dhe vazhdon të mbështesë nisma të shoqërisë civile që synojnë pjesëmarrjen qytetare dhe zhvillimin e komuniteteve.