Të rinjtë dalin sërish në rrugë, masa të shtuara sigurie pranë Kryeministrisë

Të rinjtë u mblodhën sërish në Tiranë, një ditë pas tensioneve pranë Ministrisë së Arsimit. Policia vendosi forca pranë Kryeministrisë dhe monitoroi situatën.
Studentë, të rinj dhe gjimnazistë dolën sërish në protestë në Tiranë, një ditë pas tensioneve të shënuara pranë Ministrisë së Arsimit. Për tubimin e së mërkurës, organizatorët kishin njoftuar se protesta do të mbahej në të njëjtën orë, në orën 14:00, para ministrisë.
Megjithatë, një grup të rinjsh e nisi protestën më herët. Ata dolën në rrugë nga universitete të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa tubimi u zhvillua në sfondin e ngjarjeve të një dite më parë.
Policia mori masa të shtuara dhe vendosi forca pranë Kryeministrisë. Sipas pamjeve të publikuara, në terren kishte një numër të konsiderueshëm efektivësh, të cilët ishin angazhuar për të monitoruar situatën.
Masat u morën me qëllim përballimin e çdo përshkallëzimi të mundshëm, pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së së martës. Tubimi i të rinjve vijoi ndërsa policia mbante nën vëzhgim zonën përreth institucioneve qendrore në Tiranë.