Trafikimi me njerëz në Kosovë: Gjykatat japin dënime nën minimumin ligjor

Raporti i DASH-it evidenton dënime nën minimumin ligjor dhe mangësi në identifikimin e fëmijëve të detyruar të lypin në Kosovë. Vlerësimi përmend edhe rritjen e buxhetit për parandalimin dhe ndihmën ndaj viktimave, por kërkon përmirësim të mbrojtjes dhe mbështetjes afatgjatë.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore vëren përparime në disa fusha në Kosovë, por ngre shqetësime për dënimet ndaj trafikantëve dhe identifikimin e mbrojtjen e fëmijëve të detyruar të lypin. Sipas vlerësimit, gjykatat në disa raste kanë shqiptuar dënime nën minimumin e paraparë me ligj.
Kodi Penal parasheh nga pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin e të rriturve dhe deri në 15 vjet për trafikimin e fëmijëve. Megjithatë, gjatë periudhës së raportuar, autoritetet kanë ndjekur penalisht 34 të dyshuar, krahasuar me 49 një vit më parë. Gjykatat kanë dënuar tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual: dy me burgim prej tre dhe pesë vjet e gjysmë, ndërsa i treti me një vit burgim me kusht.
Raporti evidenton gjithashtu se 17 persona janë ndjekur penalisht për shfrytëzimin e shërbimeve seksuale të viktimave të trafikimit, por asnjëri nuk është dënuar. Sipas vlerësimit, mungesa e trajnimit dhe përvojës te një pjesë e prokurorëve e gjyqtarëve, veçanërisht në rastet e kontrollit emocional ose detyrimit psikologjik, mund të çojë në dënime më të ulëta ose në riklasifikimin e veprave si më të lehta.
Shqetësime për fëmijët e detyruar të lypin
Një nga vërejtjet kryesore lidhet me rastet e fëmijëve që detyrohen të lypin. Raporti thotë se policia vazhdon t’i trajtojë disa prej tyre si raste neglizhence ose keqtrajtimi, jo si trafikim, ndërsa autoritetet nuk i kanë hetuar të gjitha rastet si trafikim me njerëz. Vlerësimi ngre shqetësime edhe për identifikimin e viktimave dhe mbrojtjen e tyre nga ndëshkimi për veprime të paligjshme të kryera nën detyrim.
Gjatë vitit të kaluar, autoritetet identifikuan 13 viktima, të gjitha shtetase të Kosovës të ekspozuara ndaj shfrytëzimit seksual: dy gra dhe 11 vajza. Në vitin 2025, 18 persona morën ndihmë, përfshirë strehim, trajtim mjekësor, këshillim dhe ndihmë juridike, të ofruara nga institucionet në bashkëpunim me shoqërinë civile. Raporti vlerëson se mekanizmi i referimit drejt shërbimeve funksionon, por thekson mangësitë në mbështetjen afatgjatë dhe riintegrimin, sidomos për fëmijët dhe personat që kanë nevojë për përkrahje psikosociale.
Buxheti për parandalim është rritur
Autoritetet e Kosovës e kanë rritur buxhetin për parandalimin e trafikimit dhe ndihmën ndaj viktimave në 15 mijë euro, nga 3,550 euro një vit më parë. Fondet janë përdorur për fushata ndërgjegjësimi dhe funksionimin e linjës telefonike SOS. Megjithatë, inspektorët e punës nuk janë trajnuar për të identifikuar trafikimin dhe nuk i kanë raportuar policisë raste të dyshimta të vërejtura gjatë kontrolleve.
Raporti përmend se viktimat shfrytëzohen për punë të detyruar dhe seksualisht. Gratë dhe vajzat mund të joshën me premtime për martesë ose punësim si valltare e këngëtare, ndërsa lypja e detyruar prek kryesisht fëmijë nga Kosova, Shqipëria dhe vendet fqinje.
Në vlerësimin rajonal, raporti vëren se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë disa përparime, por ende përballen me mungesë mekanizmash efektivë dhe nuk i përmbushin plotësisht kriteret ndërkombëtare për luftimin e trafikimit. Për Shqipërinë përmenden mangësi në përvojën dhe kapacitetet e specializuara të policisë dhe prokurorisë, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale. Bosnjë e Hercegovina, sipas raportit, vazhdon të ketë mungesë mekanizmash efektivë.