Trump: Takimi me Kim Jong Un do të ishte interesant

Trump ka lënë të hapur mundësinë e një takimi me Kim Jong Un gjatë udhëtimit të tij në Azi. Dy liderët janë takuar tri herë më parë, por bisedimet e tyre nuk prodhuan marrëveshje për programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e një takimi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë udhëtimit të tij të planifikuar në Azi. I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të hënën nëse mund të takohej me të, Trump u përgjigj: “Mundem, po. Do të ishte interesante, apo jo? Por unë kam marrëdhënie të mira me të”.
Udhëtimi i Trumpit përfshin pjesëmarrjen në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në Filipine, më 16 nëntor. Më pas ai pritet të shkojë në Shenzhen të Kinës për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili zhvillohet nga 17 deri më 19 nëntor.
Trump dhe Kim janë takuar tri herë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan. Takimi i tyre i parë u mbajt më 12 qershor 2018 në Singapor dhe ishte hera e parë që një president amerikan në detyrë takohej me një lider të Koresë së Veriut.
Në atë samit, të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku u zotuan të punonin për denuklearizimin e Gadishullit Korean, krijimin e marrëdhënieve të reja mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, si dhe vendosjen e një paqeje të qëndrueshme. Megjithatë, takimi nuk solli një marrëveshje detyruese për çështjen bërthamore.
Bisedimet e mëparshme
Samiti i dytë, i mbajtur në Hanoi të Vietnamit në shkurt 2019, përfundoi pa marrëveshje. Trump dhe Kim nuk arritën të kapërcenin mosmarrëveshjet për lehtësimin e sanksioneve dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Më 30 qershor të po atij viti, ata u takuan në Zonën e Çmilitarizuar në Panmunjom dhe ranë dakord të rifillonin negociatat. Gjatë takimit, Trump kaloi për pak çaste në territorin e Koresë së Veriut, duke u bërë presidenti i parë amerikan në detyrë që e bënte këtë.
Deklarata e fundit e Trumpit erdhi një ditë pas lëshimit të disa raketave balistike nga Koreja e Veriut drejt Detit Lindor. Ushtria e Koresë së Jugut tha se lëshimi dukej si përgjigje ndaj testimit të suksesshëm të një mjeti fluturues hipersonik nga Koreja e Jugut javën e kaluar. Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë se raketat u lëshuan nga rajoni i Phenianit.