U paraqit si francez në Zvicër, kosovari regjistroi dy biznese

Një kosovar u paraqit si shtetas francez para autoriteteve zvicerane, mori leje për punë ndërkufitare dhe regjistroi dy biznese. Ai u zbulua pas disa muajsh dhe u dënua me gjobë me kusht, dy vjet periudhë prove dhe pagesa shtesë.
Një shtetas kosovar u paraqit si francez para disa autoriteteve zvicerane, siguroi leje për punë ndërkufitare dhe regjistroi dy biznese në emër të një shtetasi francez. Ai u dënua me gjobë me kusht, ndërsa vendimi i prokurorisë është i formës së prerë.
Sipas raportimit të gazetës “Tages-Anzeiger”, burri përdori një dokument francez udhëtimi për të huaj, i cili u lëshohet personave që nuk kanë shtetësi franceze. Me këtë dokument arriti të bindte disa institucione zvicerane se ishte francez.
Dy kompani të regjistruara si francez
Rasti nisi në bregun e majtë të liqenit të Cyrihut. Sipas vendimit penal të Prokurorisë së Limmattal/Albis, ai e bindi një zyrë komunale në distriktin Horgen për shtetësinë e pretenduar dhe regjistroi një biznes individual në regjistrin tregtar të kantonit të Cyrihut. Edhe dokumentet zyrtare komunale e shënonin si shtetas francez.
Më pas, Zyra e Migracionit në Gjenevë i lëshoi leje për punë ndërkufitare. Për gati një vit, ai punoi si pastrues dhe fitonte rreth 3 mijë franga në muaj.
Pas kësaj, burri u kthye në zonën e liqenit të Cyrihut dhe krijoi një kompani tjetër. Me vërtetim noterial, edhe kjo firmë u regjistrua në regjistrin tregtar si biznes i një francezi.
Një ortak biznesi paraqiti më pas kërkesë në Zyrën e Migracionit të Cyrihut për ndërrimin e punëdhënësit të tij. Kërkesa u miratua, pa u zbuluar se ai ishte shtetas i Kosovës.
U arrestua pas hyrjes në Zvicër
Mashtrimi u zbulua rreth gjashtë muaj pas rastit të fundit. Kur kosovari hyri në Zvicër përmes Gjenevës, ai u arrestua po atë ditë në Cyrih.
Prokuroria e Limmattal/Albis e dënoi me urdhër penal me 4,500 franga gjobë me kusht dhe periudhë prove prej dy vjetësh. Atij iu shqiptuan gjithashtu një gjobë tjetër dhe tarifa, që arrijnë gjithsej në 1,700 franga.