Videoja e sulmit ndaj William Chapmanit shkakton reagimin e familjes së tij

Familja e William Chapmanit kërkon që pamjet e sulmit fatal nga tigri të mos shpërndahen dhe as të rikrijohen. Në mesin e atyre që i publikuan ishte edhe Donald Trump, i cili më pas shpërndau edhe një video të krijuar me inteligjencë artificiale.
Familja e William Chapmanit, 23-vjeçarit që humbi jetën pasi u sulmua nga një tigër në një park të kafshëve të egra në Mbretërinë e Bashkuar, ka kërkuar që pamjet e incidentit të mos shpërndahen dhe as të rikrijohen. Videoja është publikuar në rrjetet sociale, përfshirë edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Chapman u sulmua të shtunën në Parkun e Jetës së Egër Yorkshire, pasi hyri në një zonë të mbyllur. Familjarët kanë bërë të ditur se ai vuante nga një sëmundje e rëndë mendore.
Në reagimin e tyre, familja i përshkroi pamjet që po qarkullojnë si “thellësisht fyese” dhe tha se shpërndarja e tyre u shkakton “shqetësim të rëndë”. Ajo u bëri thirrje përdoruesve të internetit që të mos e përcjellin videon dhe të mos prodhojnë versione të tjera të saj.
Trump publikoi edhe një video të krijuar me inteligjencë artificiale
Të martën, Trump shpërndau në platformën Truth Social një video të sulmit për rreth 13 milionë ndjekësit e tij. Ai e shoqëroi publikimin me mbishkrimin: “Mos u ngatërro kurrë me natyrën! President DJT.” Sipas gazetës “The Guardian”, pamjet e publikuara nga Trump nuk e tregonin momentin e vdekjes së Chapmanit.
Më pas, presidenti amerikan publikoi edhe një video të krijuar me inteligjencë artificiale. Në të, ai shfaqet duke qeshur e luajtur me një tigër, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “The Lion Sleeps Tonight” e grupit The Tokens.
Në video, Trump përsërit gjestin e Chapmanit, duke drejtuar gishtin nga kafsha. Pamjet përfundojnë me Trumpin dhe tigrin duke u përqafuar.
Will Travers, president ekzekutiv i fondacionit “Born Free”, e kritikoi publikimin e videos së krijuar me inteligjencë artificiale, duke e cilësuar atë të pamatur. Familja e Chapmanit përsëriti kërkesën që pamjet të mos shpërndahen e të mos rikrijohen, duke kërkuar respekt për dhimbjen e saj pas humbjes së të riut.