Vinicius Junior mbetet i pezulluar për katër ndeshje pas vendimit të federatës

Vinicius Junior mbetet i pezulluar për katër ndeshje pas vendimit të federatës

Apeli i Real Madridit nuk e ndryshoi dënimin e Vinicius Juniorit, i cili do të mungojë në katër ndeshje. Mes tyre është edhe El Clasico ndaj Barcelonës më 25 tetor.

Real Madridi nuk arriti ta ndryshojë dënimin ndaj Vinicius Juniorit. Komiteti i Ankesave i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) e rrëzoi kërkesën e klubit dhe la në fuqi pezullimin katërndeshësh të sulmuesit brazilian.

Vinicius u përjashtua në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Villarrealit, të cilën Reali e fitoi 1-0. Klubi kërkoi anulimin ose uljen e dënimit, por komiteti vlerësoi se nuk kishte gabim të dukshëm në vendimin e gjyqtarit dhe se masa fillestare ishte e arsyetuar.

Dënimi përbëhet nga dy ndeshje pezullim për përjashtimin dhe dy të tjera për protestën e lojtarit ndaj gjyqtarit Diaz de Mera. Komiteti i Ankesave i hodhi poshtë argumentet e Real Madridit për të dyja pjesët e vendimit.

Si pasojë, Vinicius do të mungojë në ndeshjen e së dielës kundër Sevillas në Santiago Bernabeu. Ai nuk do të jetë as në dispozicion për El Clasicon ndaj Barcelonës, që zhvillohet më 25 tetor në Camp Nou.

Katër ndeshjet që do të humbasë

Përveç përballjeve me Sevillan dhe Barcelonën, braziliani do të mungojë edhe në ndeshjet e La Ligës kundër Racing Santanderit më 1 nëntor dhe Valencias më 7 nëntor.

Vinicius, i cili ka zhvilluar 57 paraqitje për përfaqësuesen e Brazilit, pritet të rikthehet në kampionat pas pushimit ndërkombëtar. Ndeshja e Real Madridit kundër Celtës është planifikuar për 21 ose 22 nëntor.