Vjosa Osmani kërkon përgjegjësi institucionale pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan

Vjosa Osmani kërkon përgjegjësi institucionale pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan

Pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan, Vjosa Osmani kërkon përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete kundër dhunës ndaj grave. Ajo thotë se kërcënimet duhet të merren seriozisht para se të jetë tepër vonë.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Gjilan, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se shoqëria dhe institucionet duhet të përballen me përgjegjësinë e tyre kur dhuna nuk ndalet para se të marrë jetë njerëzish.

“Një shoqëri që vajton pas çdo vrasjeje, por nuk arrin ta ndalë dhunën para se të jetë tepër vonë, duhet të përballet me përgjegjësinë e saj”, shkroi ajo.

Osmani theksoi se kërcënimet dhe rastet e dhunës nuk duhet të shpërfillen. Sipas saj, institucionet duhet të reagojnë përpara se situatat të përfundojnë në tragjedi.

“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, thuhet në reagimin e deputetes.

Në fund, Osmani kërkoi drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për çdo dështim institucional, duke bërë thirrje që deklaratat të pasohen nga veprime konkrete.

“Drejtësi për viktimat. Përgjegjësi për çdo dështim. Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”, përfundoi ajo.