Vrasja e 29-vjeçarit në Pogragjë: Babai i tij kërkohet nga policia

Një 29-vjeçar u vra në Pogragjë të Gjilanit, ndërsa babai i tij 53-vjeçar po kërkohet nga policia. Prokuroria thotë se motivi ende nuk dihet dhe se më parë nuk ishte raportuar dhunë në familje. Në shtëpinë ku ndodhi rasti u sekuestruan armë dhe municion.
Një 29-vjeçar u vra të dielën në Pogragjë të Gjilanit, ndërsa i dyshuari për rastin, babai i tij 53-vjeçar, ndodhet në kërkim policor. Vrasja është një nga tri rastet e rënda brenda familjes që kanë tronditur komunën në periudhën e fundit.
Sipas Prokurorisë Speciale, i dyshuari e ka privuar nga jeta djalin e tij për motive që ende nuk dihen. Prokuroria ka bërë të ditur se asnjëri prej tyre nuk kishte të kaluar kriminale dhe se nuk ishte raportuar më herët rast i dhunës në familje.
Të afërmit e familjes Arifi thanë se lajmi i ka habitur, pasi viktima dhe i dyshuari, sipas tyre, nuk kishin pasur probleme me të tjerët. Në shtëpinë e familjes u hapën dyert për ngushëllime, ndërsa trupi i të riut ishte dërguar për obduksion.
“Është i afërmi im, kushëri. Kurrë nuk kemi dëgjuar që ka pasur ndonjë problem. As vëllai i tij nuk di të na tregojë nëse ka pasur ndonjë konflikt”, tha familjari Fadil Rexhepi. Ai shtoi se vetura e të dyshuarit ishte gjetur në kufi, në Kukaj, ndërsa për të nuk kishte informacione.
Policia e Kosovës njoftoi se në shtëpinë ku ndodhi vrasja janë sekuestruar dy pushkë, një pistoletë, 68 fishekë dhe katër gëzhoja. I dyshuari vijon të jetë në kërkim.
Rasti në Pogragjë ndodhi pas dy vdekjeve nga të shtënat me armë zjarri të premten. Të tria ngjarjet, të përshkruara si vrasje brenda familjes, kanë tronditur Gjilanin gjatë periudhës së fundit.