Ylli pret Pejën, Rahoveci 029 kërkon fitoren e parë ndaj Prishtinës

Superliga e basketbollit vazhdon të dielën me dy ndeshje interesante. Ylli pret Pejën në Suharekë, ndërsa Rahoveci 029 kërkon fitoren e parë të sezonit ndaj Sigal Prishtinës.
Dy ndeshje janë në program të dielën për ta përmbyllur xhiron e katërt të Superligës së Kosovës në basketboll. Golden Eagle Ylli pret Pejën në Suharekë, ndërsa Rahoveci 029 luan në shtëpi kundër Sigal Prishtinës.
Takimi mes Yllit dhe Pejës nis në orën 17:00 në palestrën “13 Qershori”. Skuadra vendase vjen pas fitores së parë të sezonit, të cilën e siguroi javën e kaluar kundër Sigal Prishtinës.
Peja, në anën tjetër, synon të kthehet te rezultatet pozitive pas humbjes ndaj Vëllaznimit. Të dyja ekipet kanë synime të larta për këtë edicion, ndaj përballja në Suharekë pritet të jetë e luftuar.
Ndeshja e dytë e mbrëmjes zhvillohet në orën 19:30, kur Rahoveci 029 pret Sigal Prishtinën në palestrën “Mizahir Isma”. Kjo përballje shënon fundin e xhiros së katërt.
Rahoveci është skuadra e vetme që ende nuk ka regjistruar fitore këtë sezon. Për ekipin vendas, kjo do të jetë ndeshja e tretë para publikut të vet në katër xhirot e para, dhe synimi është që përparësia e fushës të ndihmojë për të marrë fitoren e parë.
Sigal Prishtina udhëton drejt Rahovecit pas humbjes së javës së kaluar ndaj Yllit dhe do të kërkojë të rikthehet te fitorja. Dy përballjet e së dielës mbyllin programin e kësaj xhiroje në elitën e basketbollit kosovar.