Zgjedhjet në Serbi: lëvizja studentore sfidon strukturën e pushtetit të Vuçiqit

Zgjedhjet në Serbi: lëvizja studentore sfidon strukturën e pushtetit të Vuçiqit

Politologu Florian Bieber thotë se një humbje e mundshme e pushtetit nga Aleksandar Vuçiqi do të rrezikonte edhe rrjetin politik të ndërtuar rreth tij. Në intervistën për “Süddeutsche Zeitung”, ai analizon hyrjen në garë të lëvizjes studentore dhe paralajmëron për rrezikun e paqëndrueshmërisë në rast të manipulimeve zgjedhore.

Politologu Florian Bieber thotë se humbja e pushtetit nga Aleksandar Vuçiqi mund të rrezikojë jo vetëm të ardhmen e tij politike, por edhe rrjetin e gjerë që, sipas ekspertit, e mban në këmbë sistemin e tij. Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, Bieber foli për strukturën e pushtetit në Serbi dhe sfidën që paraqet lëvizja e re opozitare e udhëhequr nga studentët.

Sipas materialit, zgjedhjet parlamentare në Serbi janë caktuar për 25 tetor. Meqë Kushtetuta nuk ia lejon një mandat të tretë presidencial, Vuçiqi synon të rikthehet në krye të ekzekutivit si kryeministër. Bieber vlerëson se kjo nuk është befasi, pasi largimi i Vuçiqit nga politika nuk ka qenë një mundësi reale.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Grazit përshkruan një sistem të mbështetur në depërtimin e partisë në administratën shtetërore dhe në ushtrimin joformal të pushtetit. Ai thotë se partia në pushtet kontrollon pothuajse çdo komunë, ndërsa përpjekjet për ndryshim në nivel lokal janë përballur me presion, blerje të politikanëve opozitarë dhe manipulim të rezultateve zgjedhore.

Lëvizja studentore hyn në garë

Për herë të parë, lëvizja studentore synon të marrë pjesë drejtpërdrejt në zgjedhje me një listë të vetën, të udhëhequr nga profesori i mjekësisë Ilija Sërdanoviq. Kushti për kandidatët, sipas intervistës, është të mos kenë të kaluar politike. Bieber e përshkruan lëvizjen si një sfidë të re ndaj strukturave të vendosura të pushtetit.

Ai paralajmëron se humbja e pushtetit mund t’i ekspozojë Vuçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij ndaj akuzave për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe keqpërdorim të shtetit për qëllime partiake. Bieber thotë se struktura të lidhura me shërbimet e fshehta dhe krimin e organizuar, të cilat ai i lidh edhe me vrasjen e kryeministrit reformator Zoran Gjingjiq në vitin 2003, mbeten të pranishme.

Sipas tij, një fitore e listës studentore do ta bënte më konkret kërcënimin ndaj këtyre rrjeteve. Bieber shprehet se disa persona mund të tentonin të shkatërronin dokumente ose të largoheshin nga vendi, ndërsa kujton se grupet e tilla janë përfshirë edhe në dhunë në të kaluarën.

Marrëdhëniet me Rusinë dhe qëndrimi i BE-së

Bieber e përshkruan raportin e Serbisë me Moskën si kompleks: vendi, sipas tij, shërben si pikë tranziti për agjentë rusë, ndërsa i shet municion Ukrainës. Ai kritikon qasjen e butë të Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë ndaj Beogradit, veçanërisht për lirinë e mediave dhe regjistrat zgjedhorë.

Me sondazhe që parashikojnë garë të ngushtë, Bieber paralajmëron se manipulimi i votave mund të sjellë paqëndrueshmëri. Në atë skenar, të dyja palët mund të shpallin fitoren dhe qytetarët mund të dalin sërish në rrugë.